Opozita proteston para Kryeministrise

  • 5 years ago
Në orën 18:30 opozita e bashkuar do të mbajë në Tiranë protestën e katërt kombëtare në Bulevardin ?Dëshmorët e Kombit?, përpara Kryeministrisë, me kauzën e largimit të Kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore, që sipas tyre do t?i hapë rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Deri në këto momente janë të pakta detajet e bëra publike nga skenari i opozitës për këtë tubim, që është i dyti që zhvillohet në orët e pasdites.

Protesta do të zgjasë më shumë se 3 orë. Do të ketë një fjalë të Zotit Basha drejtuar protestuesve para Kryeministrisë, por nuk dihet nëse skenari do të jetë i ngjashëm me 13 Prillin, kur pas fjalës së Bashës, protestuesit nga para Kryeministrisë iu drejtuan godinës së parlamentit, ku u shënuan edhe incidente mes protestuesve dhe policisë.

Një ditë përpara protestës së opozitës ka pasur një reagim nga ambasada e SHBA-ve në Tiranë, e cila i ka ftuar qytetarët të tubojnë paqësisht, pasi çdo akt dhune sipas saj do të cenonte legjitimitetin e protestës.

Nga uniformat blu bëhet me dije se do të jetë i njëjti skenar, sa i përket angazhimit të efektivëve të policisë në protestën e pasdites. Do të jenë rreth 1 200 efektivë, të cilët do të mbikëqyrin protestën. Vijon i njëjti plan masash nga ana e policisë, i gjithë perimetri i godinës së kryeministrisë, njëherazi edhe ai i godinës së parlamentit dhe i Piramidës, pra në krah të kryeministrisë, është i rrethuar me barriera metalike, janë vendosur kamera me rezolucion të lartë për të bërë të mundur shquarjen e elementëve të rrezikshëm në rast incidentesh.  

Krahas efektivëve të policisë, makinat me ujë do të qëndrojnë pas Kryeministrisë dhe brenda ambienteve të Parlamentit.

PD ka marrë leje për të zhvilluar tubim vetëm në Bulevardin ?Dëshmorët e Kombit? dhe jo para godinës së Parlamentit.

Tv Klan

Recommended