Gjykata rrëzon 'Dosjet': Prokurori Bujar Sheshi nuk është sigurims

  • 5 years ago
TIRANE-Gjykata Administrative ka pranuar kërkesën e prokurorit Bujar Sheshi, që është edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë duke rrëzuar vendimin e Autoritetit të Hapjes së Dosjeve që e nxirrte si ish-sigurims i shtetit në kohën e regjimit komunist në Shqipëri (Vendimi).

Dokumenti i Autoritetit të Hapjes së Dosjeve i publikuar në media theksonte se 'gjeneralitetet e bashkëpunëtorit të ish-sigurimit në kartelën Model 2, nr. 8023 janë ?Bujar Rasim Shesha? i datëlindjes 1957, ndërkohë që gjeneralitetet e prokurorit janë Bujar Ramiz Sheshi, i datëlindjes 15.12.1957'. Vendimi i Autoritetit është miratuar me shumicë votash, por këtë vendim anëtari KLP e cilësoi shpifje.

Publikimi i këtij vendimi në media solli dhe një debat për mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve në institucionet e reja të drejtësisë. Pas rastit reagoi edhe Prokuroria e Përgjithshme e cila sqaroi se Sheshi e kishte plotësuar nën përgjegjësinë e tij personale formularin e deklarimit.

Bujar Sheshi kërkoi nga gjykata Administrative rrëzimin e pretendimit të 'Dosjeve'. Në seancën e kaluar juristi i Autoritetit të Dosjeve kërkoi rrëzimin e padisë së bërë nga anëtari KLP-së, Bujar Sheshi.

Por avokati i Sheshit tha se "AIDSSH nuk mund të interpretonte faktin se personi që kanë gjetur në Kartelën e Sigurimit të Shtetit (Bujar Rasim Shesha) është i njëjtë me Prokurorin Bujar Ramiz Sheshi. Nuk i lejohet ky veprim sipas ligjit, për shkak se janë autoritet informues dhe jo interpretues" tha ai. Ditën e sotme gjykata pranoi kërkesën e prokurorit duke rrëzuar vendimin e Autoritetit të Dosjeve.

Pas vendimit ka reaguar kryetarja e Autoritetit të Hapjes së Dosjeve, Gentiana Sula e cila ka paralajmëruar apelimin. "Do ta apelojmë vendimin e Gjykatës Administrative për Bujar Sheshin. I qëndrojmë vendimit fillestar. Ishte i paanshëm" tha ajo.

Recommended