Report TV - Shemben shtëpitë tek 'Bregu i Lumit', Veliaj: Do japim banesa sociale dhe bonus qiraje

  • 5 years ago
Pas më shumë se 7 orësh konfrontimesh fizike me policinë ndaj të cilëve u godit edhe me sende të forta duke lënë të plagosur 3 efektivë, shumica e banorëve te "Bregu i Lumit" kanë nisur të lënë shtëpitë e tyre. Nga përplasjet mbetën të lënduar edhe 4 banorë, të cilët bashkë me efktivët morën mjekim në spitalin e Traumës. Ndërkohë, sot kreu i Bashkisë, Erion Veliaj, ka qetësuar banorët, duke i lajmëruar se do të marrin banesa sociale dhe bonus qiraje.

Aktualisht, në zonë ndodhen vetëm fadromat, të cilat po shembin shtëpitë e mbetura, dhe punonjësit e Bashkisë, që po punojnë për pastrimin e zonës. Shembja e shtëpive nisi në orën 06:00 të mëngjesit të së martës, në kuadër të zgjatimit të Bulevardit të Ri të Tiranës.

Ashtu si kurse edhe ditën e djeshme, banorët i pritën uniformat blu me gurë dhe shkopinj në duar. Pas disa përplasjeve me efektivët, situata u neutralizua vetëm pasi policia ka përdorur gazlotsjellës. Gazetarja e Report Tv, Klesiana Omeri raportoi se disa nga banorët që sulmuan policinë janë shoqëruar në Komisariat.

Në mbështetje të banorëve, kanë qenë të pranishëm edhe ish- deputetë të Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, Klevis Balliu, Aldo Bumçi si dhe ish- deputeti i LSI-së, Endrit Braimllari, por policia nuk i ka lejuar të afrohen tek banesat. Këta të fundit, e kanë cilësuar si të paprecedentë atë që ka ndodhur te Bregu i Lumit.

Ndërkaq, e distancuar nga ish- kolegët e partisë së saj, ka vizituar banorët e Bregut të Lumit edhe deputetja Rudina Hajdari. Në një bashkëbisedim me qytetarët, ajo është shprehur se nuk duhet të ndalen, por ta dërgojnë çështjen deri në gjykatën e Strasburgut.

Recommended