Incident në Tiranë! Ministri serb nuk pranon që homologu i Kosovës të ulet në tryezën e OKB-së
  • 5 years ago
Konfliktet mes Kosovës dhe Serbisë kanë zbritur edhe në Tiranë, ku mbahet konferenca rajonale për Klimën. Delegacioni serb nuk ka pranuar që të ulet në të njëjtën tryezë me palën kosovare, pasi Kosova nuk është anëtare më të drejta të plota në OKB. Sipas ministrit Klosi, Kosova është ftuar nga Shqipëria, ndërsa ministri Kosovar Fatmir Matoshi theksoi se aty ku flitet për problemet e Ballkanit duhet të jetë edhe Shqipëria.

Shqipëria mikpriti këtë të premte, Konferencën mbi Klimën në Ballkanin Perëndimor, nën organizimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Si pjesë e Ballkanit Perëndimor, edhe Kosova ishte e ftuar në këtë konferencë, por në nisje të saj është shënuar një incident. Delegacioni i Serbisë, i kryesuar nga ministri serb i Mjedisit, nuk ka pranuar që Kosova të jetë në këtë tryeze, me përfaqësim nga vetë ministri i Mjedisit Fatmir Matoshi. Kosova nuk është pranuar ende me të drejta të plota në OKB dhe mund të marrë pjesë në tryeza të saj vetëm me përfaqësues nën siglën e UNMIK-ut, misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Por duke dituar këtë fakt, përse ministri kosovar i mjedisit ndodhej në Konferencën për Klimën?

Ministri i Mjedisit Blendi Klosi, tha se Shqipëria është vend mikpritës i Konferencës dy ditore për Klimën në Ballkanin Perëndimor të organizuar nga OKB. Ministrit të Kosovës Fatmir Matoshi, ftesa për të marrë pjesë në konferencë, i është bërë nga homologu shqiptar. Matoshi ka mbërritur prej ditësh së djeshme në Tiranë, dhe siç tregoi ai, një natë më parë kishin pasur takim edhe me ministrin serb të Mjedisit dhe se gjatë një darke me ministrat edhe të Malit të ZI, Maqedonisë dhe Çekisë, ishte rënë dakordësi për prezencën e ministrit të Kosovës në Konferencën për Klimën.

Por sot, para nisjes së Konferencës, kanë qenë rreth dy orë debate - tregoi Klosi, - për faktin nëse duhej apo jo prezenca e ministrit të Kosovës në Konferencë. Përfundimisht në tryezë, u pranua vetëm delegacioni i Kosovës, pa praninë e ministrit, ashtu siç ka përcaktuar OKB-ja.
Recommended