Report TV - PS mbledh nesër Kongresin. Rama tregon forcën në shesh, miting për Veliajn
  • 5 years ago
Partia Socialiste do të mbledhë nesër forumin e saj më të lartë, Kongresin Kombëtar, për të shënuar praktikisht nisjen e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Pjesa e parë e takimit do të jetë në Pallatin e Kongreseve, ku pas fjalës së Sekretarit të Përgjithshëm, Taulant Balla, dhe diskutimeve të ministrave mbi punën që kanë bërë për bashkitë, do të flasin 6 kandidatët e parë zyrtarë të Partisë Socialiste për betejën lokale të qershori.

4 janë rikonfirmime: Armando Subashi në Fier, Sotiraq Filo në Korcë, Majlinda Bufi në Roskovec dhe Dritan Leli në Vlorë. Dy të tjerë përbëjnë prurje të reja për bashkitë. Pjerin Ndreu për Lezhën dhe Gledian Llatja për Elbasanin.

Më pas, delegatët e kongresit dhe të ftuarit do të zbresin në Sheshin Nënë Tereza, në një miting ku socialistët do të tregojnë forcën dhe mbështetjen, ndaj sjelljes së opozitës.

Në shesh, Erjon Veliaj do të shpalosë vizionin për një mandat të dytë, ndërsa do të prezantojë edhe kandidatët për këshilltarë bashkiakë në kryeqytet.

Pas Veliaj do të mbajë kryeministri Rama fjalën e tij, që është dhe mesazhi më i rëndësishëm politik i këtij takimi.

Aty pritet që Kryetari i Partisë Socialiste të ftojë sërish për dialog Lulzim Bashës, për të rivendosur bashkëpunimin politik përpara zgjedhjeve lokale.

Pas fjalës së kryeministrit, delegatët socialistë do të rifuten në Pallatin e Kongreseve ku do të punojnë në tre panele: një panel për qeverisjen lokale, një për punësimin e të rinjve dhe edukimi dhe një tjetër për reformën zgjedhore dhe votën e emigrantëve.

Në këtë kongres pritet të shihet nëse Fatos Nano do të thyejë ose jo akujt me partinë e tij, dhe do të pranojë ftesën për tu bashkuar në këtë forum.
Recommended