14 muaj pas skandalit mbi matjen false të audiencës televizive, zhduket 'Abacus'

  • 5 years ago
Kishim të drejtë: 14 muaj pas investigimit tonë të parë, që tregoi se matjet mbi audiencën televizive të shoqërisë Abacus shpk ishin false, shoqëria zyrtarisht e ndërpreu aktivitetin e saj. Pak javë më parë, me anë të një komunikimi telefonik bërë klientëve të saj, Abacus njoftoi vendimin për të ndërprerë monitorimin e audiencës televizive. Kjo është prova përfundimtare se kemi patur gjithnjë të bënim me një aktivitet të sajuar, të realizuar nga një shoqëri fantazmë, e cila, pa investime, pa teknologji dhe pa personel, që nga viti 2011 manipulon një treg reklamash prej miliona eurosh. Kompania u themelua nga Andi Erebara dhe Thanas Goga në vitin 2011, dhe qe nga 2013 aksionet e Gogës i kaluan Florian Zekos.

Sëbashku me raportet mbi audiencën, nga 1 janari janë zhdukur edhe 1.000 familjet, të cilat Abacus deri më 31 dhjetorin e kaluar pretendonte se i monitoronte, shtëpi më shtëpi, nëpërmjet instalimit të aparateve të posaçme, të quajtur ?people meter?. Gjatë një inspektimi të javëve të fundit të organizuar nga Këshilli i Evropës në Shqipëri, me kërkesë të AMA-s, pikërisht për të studiuar nga afër sistemin e monitorimit të audiencës, Abacus njoftoi se kishte çmontuar tashmë të gjithë aparatet, duke shmangur kështu një verifikim të drejtpërdrejtë. Vendimi për mbylljen e aktivitetit është marrë njëkohësisht me inspektimin e ekspertëve të huaj.

Një investigim i gjatë nga Shqiptarja.com ndërmjet janarit dhe shkurtit 2018 zbuloi se shoqëria Abacus nuk dispononte asnjë infrastrukturë, që mund të justifikonte prodhimin e raporteve të përditshme për matjen e audiencave televizive. Megjithëse kompania u deklaronte klientëve të saj se kishte vendosur më shumë se 1.000 aparate (people meter) në po aq familje shqiptare, të shpërndara në të gjithë territorin e vendit, për të regjistruar se cilat programe televizive ndiqeshin gjatë ditës, në të vërtetë ajo nuk kishte as edhe një kompjuter dhe stafi përbëhej nga një njeri i vetëm.