Report TV - Christian Danielsson takon Ramën Vijoni punën me reformat

  • 5 years ago
Drejtori i Përgjithshëm për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negocimet e Zgjerimit, Christian Danielsson ndodhet në Tiranë ku takoi krerët më të lartë politikë, kryeministrin Edi Rama, dhe liderin demokrat Lulzim Basha dhe aleatë e opozitës tashmë joparlamentare.

Danielsson tha se pati një bisedë të hapur me kryeministrin Edi Rama teksa e takoi shefin e mazhorancës në zyrën e tij. Puna e Shqipërisë me reformat duhet të vijojë, veçanërisht në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për të qenë sa më bindëse përballë shteteve anëtare të BE-së në vendimin e muajit qershor, për t'i hapur ose jo negociatat Shqipërisë për anëtarësimin në familjen evropiane.

Takimet në Shqipëri, Danielsson, i nisi me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, anëtare e të cilit është edhe kryeprokurorja Arta Marku.

Zyrtari i lartë i Bashkimit Evropian vjen në Shqipëri në një kohë kur situata politike nuk është aspak e qetë, me opozitën e larguar nga Kuvendi dhe me valën e protestave kundër qeverisë. Kryeministri Edi Rama i ka bërë ftesë për dialog kryedemokratit Basha, thirrje që u refuzua nga ky i fundit.

Vizita e zyrtarit të lartë të BE-së është programuar për tu zhvilluar me një axhendë të mëparshme, por që tashmë e gjen Shqipërinë në një aktualitet problematik. Vizita e tij do të fokusohet tashmë, pikërisht tek kriza politike. Në 12:00 Danielsson do të mbajë një konferencë për mediat.

Nga ana e tij , kreu i qeverisë shqiptare është shprehur i vendosur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, një kërkesë kjo e opozitës së bashkuar që e akuzon qeverinë të dalë nga vota e krimit. Një delegacion i lartë i Parlamentit Evropian ditë më parë në Tiranë, tha se zgjedhjet ishin korrekte të mbajtura nën vëzhgimin e OSBE/ODIHR, dhe si të tilla, qeveria është legjitime.

Recommended