Në hetim gjyqtarët që shpëtuan Dajtin! Mijëra euro dhe armatime në banesën e Daminit
  • 5 years ago
Prokuroria për Krime të Rënda nisi sot procedimin penal për korrupsion për tre gjyqtarët që në Apel, morën vendimin në favor të Dritan Dajtit, duke e shpëtuar nga burgimi i përjetshëm, pasi i pranuan kërkesën për gjykim të shkurtuar. Po sot, me urdhër të gjykatës, forcat speciale të policisë zhvilluan kontrolle blic në banesat e gjyqtarëve Skënder Damini, në Gjykatën e Apelit në Vlorë, Petrit Aliajn gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Vlorës, dhe Aleks Nikolla gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Shkodër.

Gjyqtari Damini u shoqërua në polici dhe më tej u i lirë pas disa orëve marrje në pyetje. Në kontrollin blic, forcat speciale gjetën në banesën e tij një sasi municionesh luftarake pa leje të autoriteteve, si dhe një vlerë monetare prej rreth 17 mijë eurosh të vendosura në sirtar në vendin e rrobave të brendshme.

Gjyqtarët kanë abuzuar me detyrën dhe kane dhënë vendim në kundërshtim me ligjin, në favor të Dritan Dajtit. Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha janë dy gjyqtarët që vendosën të jenë pjesërisht kundër për të pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar ndaj Dritan Dajtit. Për ta ende nuk ka një konfirmim nëse janë vënë në hetim apo jo.

Hetimet e nisura për tre gjyqtarët janë nisur nga prokurori Klodian Braho ndërsa ekzekutimi i kontrollit të banesave është ndjekur nga kryeprokurorja e krimeve Donika Prela.

Vendimi në favor të vrasësit të katër efektivëve të policisë u quajt nga kryeministri Edi Rama një akt kriminal, ndërsa ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, kërkoi shkarkimin e gjyqtarëve

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda pranoi gjykimin e shkurtuar, duke dënuar në total me 25 vite burg Dritan Dajtin për vrasjen e 4 policëve në gusht të vitit 2009. Procesi ndaj Dajtit zgjati rreth 10 vite, ndërsa në Shkallë të Parë u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2014.
Recommended