Balla - Berishajve: Po ju vjen dita e gjykimit, pse s'shkoni në SHBA? Reagon Shkëlzeni

  • 5 years ago
Në Gjykatën e Tiranës u zhvillua seanca e radhës për shqyrtimin e padisë së ngritur nga Shkëlzen Berisha, ndaj Taulant Ballës, në lidhje me deklarimet e këtij të fundit se Berisha nuk ka paguar taksat. Gjatë ditës së sotme, u bënë parashtrimet e të dyja palëve, ku mbrojtja e Berishës pretendoi se deklarimet e Ballës, janë shpifje dhe me qëllim prishjen e imazhit të tij. Ndërkohë, Balla pretendoi se deklarimet e tij lidhen me dyshimet e krijuara pas hetimit të kryer nga Komisioni hetimor, në cilësinë e drejtuesit të këtij komisioni. Por, Balla vazhdoi me tej, duke thënë se i qëndronte këtyre deklarimeve.

Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla i ka bërë thirrje Prokurorisë së Tiranës që të mos pushojë hetimet për Sali Berishën, djalin e tij dhe Ndue Kalaj për privatizimin e OSSHE te CEZ-i.

"Unë i qëndroj akuzës së bërë, se qytetarët shqiptarë kanë humbur 419 mln euro nga privatizimi i OSSHE te CEZ. I bëj thirrje prokurorisë së Tiranës që mos përdorë makinacione për ta pushuar çështjen në ngarkim të Sali Berishës, Nuel Kalajt, Shkëlzen Berishës. Prokuroria të vijojë hetimet dhe me shpresën e gjithë shqiptarëve që SPAK ngrihet së shpejti le të jetë kjo një prej dosjeve që ti vihet në dispozicion SPAK. Për fat të keq, dita e gjykimit për ata po afron dhe ajo ditë nuk ndalet" tha Balla.

Ndërkohë që djali i ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha u shpreh se Balla nuk ka asnjë provë për akuzat, ndërsa shtoi se prokuroria është nën presionin politik të shumicës.

Recommended