Report TV - Dy vite pa Dritëroin, Sadije Agolli: E gjithë jeta në një muze

  • 5 years ago
Prej dy vitesh ajo, bashkëshortja dhe shoqja e tij besnike ndien dhimbjen e mungesës së tij. Për njeriun e urtë, flokëbardhin zemërmirë, shkrimtarin që rrëmbeu zemrat e popullit ndiejnë mall të afërmit, miqtë dhe shqiptarët që ai aq shumë i deshi e për të cilët shkroi. Sadija sot e përqafon Dritëro Agollin, përmes librave, kujtimeve që ai la, veçanërisht në shtëpinë e tyre ku ajo vazhdon të jetojë.

Aty ata kanë kaluar momentet më të bukura e të vështira të jetës, që kur erdhën në ?74-ën, aty Agolli shkroi veprat e tij dhe çdo cep e send i asaj shtëpie mbart tanimë një copëz historie të Dritëroit. Është e fortë lidhja e Sadijes me këtë shtëpi pikërisht, sepse në të gjen Dritëroin e saj, fëmijët Elona dhe Artani gjejnë kujtime e babait, artistit, shkrimtarit të adhuruar.

Por ata e kuptojnë se Dritëroi u përket të gjithëve, siç edhe qe në jetë, ai është shkrimtari i popullit ndaj kanë vendosur që nëse u bëhet propozimi, të lejojnë që shtëpia e tyre të kthehet në muze.

?Në fillim kur u bë një kërkesë e tillë nuk isha dakord ngaqë kam jetuar një jetë të gjatë këtu. Kemi 45 vjet që kur kemi ardhur në 74?ën. Fëmijët kanë qenë të vegjël. Ona i takonte që ishte 6 vjeç, Artani 4-5 vjeç dhe kishim edhe vjehrrën. Ne kemi kujtime, kemi shumë gjëra që më lidhin me këtë shtëpi dhe e kam shumë të vështirë të shkëputem. Por kaluan 2 vjet që kur Dritëroi nuk është më dhe që unë e kam ndjerë shumë shumë mungesën e tij, që të merrja dhe mendimin e tij, sepse për çdo gjë unë flisja me të... Kështu që duhet bërë kjo sakrificë nga unë edhe nga fëmijët që ky ambient të paktën të kthehet në muze. Pasi këtu ka shumë shumë gjëra që mund të mësojnë njerëzit. Kushdo që vjen. Është gjithë jeta e Dritëroit, puna e tij, e pasqyruar në vepra, në të gjithë këtë që shikoni këtu. Edhe të tjerët të shikojnë jetën e tij si shkrimtar, si njeri dhe si artist... Prandaj thamë, edhe me fëmijët e diskutova dhe thamë se mund të bëhet. Por propozim direket mua nuk më është bërë? shprehet ajo.

Recommended