Report TV - Ndryshimi i kompetencave/ Ja si ‘21 Janari’ mund të kalojë në duart e SPAK-ut

  • 5 years ago
Prokuroria e Posaçme, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Gjykatat Speciale janë mundësia e fundit dhe e vetme për të ndëshkuar përgjegjësit e veshur në atë kohë me pushtet, për vrasjen e 4 protestuesve me duar në xhepa në protestën e 21 Janarit 2011, plagosjen e 6 të vjetërve, zhdukjen e pamjeve filmike, manipulimin e provave të krimit, refuzimin për të zbatuar urdhër-arrestet për zinxhirin komandues të Gardës etj. Të gjithë këtë panoramë kriminale me sfond shtetëror, drejtësia aktuale shqiptare i ka vënë ka pakt, me vetëm një akuzë, atë të ?vrasjes nga pakujdesia?, për të cilën u dënuar me 1 vit burg ish-komandanti i Gardës Ndrea Prendi dhe 3 vite burg gardisti Agim Llupo.

Me ngritjen e organeve të SPAK-ut gjatë javëve në vijim, dosja e 21 Janarit mund të kalojë në kompetencë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorisë së Posaçme, vetëm nëse objekt hetimi do të jenë ish-kryeministri Sali dhe ish-ministri Lulzim Basha. SPAK-u nuk mund të hetojë vrasjet e 21 Janarit, pa qenë i përfshirë një funksionar apo ish-funksionar i lartë, pasi veprat penale të vrasjes i janë hequr nga kompetenca SPAK-ut, me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale në mars të vitit 2017.

Kompetencat
Kushtetuta e ndryshuar në 2016, në nenin 135 të saj, parashikon që SPAK-u heton çdo akuzë penale ndaj një grupi funksionarësh dhe ish-funksionarësh të lartë, përfshi këtu edhe ish-kryeministrin dhe ish-ministrin e Brendshëm në 21 Janar 2011, Sali Berisha dhe Lulzim Basha, të cilët akuzohen nga shumica aktuale në pushtet si përgjegjësit për vrasjet Janarin. Ndërkaq, pika 1 e nenit 8 të ligjit për SPAK-un, parashikon që kompetenca lëndore të organeve të SPAK-ut parashikon në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penal. Neni 75/a parashikon që në kompetencë të organeve të reja janë krimet e parashikuara nga nenet 244, 244/a, 245, 245/1, 257, 258, 259, 259/a, 260, 312, 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh dhe 319/e të Kodit Penal. Në nenet në fjalë nuk përfshihen veprat penale të konsumuara në 21 Janar.

Recommended