Konstituohet KED, zhbllokohet procesi për zgjedhjen e gjyqtarëve të Kushtetueses

  • 5 years ago
TIRANE - Konstituohet këshilli i Emërimeve në Drejtësi ndërsa mbledhja e parë e tij është zhvilluar në ambientet e Gjykatës së Lartë në kryeqytet. Report Tv siguron foton nga kjo mbledhje e cila është zhvilluar me praninë e anëtarëve ku bën pjesë edhe kryeprokurorja Arta Marku, ndërsa drejtohet nga gjyqtari Ardian Dvorani. Pjesë e mbledhjes këtë të martë ka qenë edhe deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj i cili sipas burimeve për Report Tv nga brenda mbledhjes, ka diskutuar për shumë çështje që lidhen me përzgjedhjen e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese.

Anëtar të KED e cila është e dyta që nga krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë janë Ardian Dvorani kryetar, Vitore Tusha, Arta Marku, Fatri Islamaj, Fatjona Memcaj, Eriol Roshi anëtarë. Ndërsa anëtarë zëvëdësues janë Medi Bici (Gjyqtar i Gjykatës së Lartë) i zgjedhur dhe anëtar në Këshillin e Lartë Gjyqësor si dhe Gurali Brahimllar, Klodiana Veizi (Mema).

Pas konstituimit KED pritet të caktojë dhe kriteret e përzgjedhjes dhe rënditjes së aplikantëve që plotësojnë kushtet për t'u bërë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Kjo gjykatë ka 9 anëtarë ndërsa aktualisht funksional është vetëm gjyqtarja Vitore Tusha pasi tetë të tjerët disa me dorëheqje dhe disa me shkarkim nga Vettingu, kanë dalë jashtë sistemit.

Po ashtu pritet që pas përzgjedhjes së gjyqtarëve që plotësojnë kriteret për t'u bërë pjesë e kushtetueses të nisë dhe përzgjedhja e kandidatëve për Inspektorin e lartë të Drejtësisë proces i cili kryhet po ashtu nga KED.

Recommended