Kuvendi, te merkuren seance te jashtezakonshme

  • 5 years ago
Parlamenti mblidhet pasditen e së mërkurës në një seancë të jashtëzakonshme për të miratuar dekretet e Presidentit Ilir Meta për shkarkimet dhe emërimet e kryeministrit Rama lidhur me ndryshimet e bëra në kabinetin qeveritar.

Seanca është kërkuar nga Kryeministri Rama, i cili përmes një shkrese drejtuar kryeparlamentarit Ruçi e argumenton mbajtjen e sesionit të jashtëzakonshëm me garantimin e respektimit të afateve kushtetuese për shqyrtimin e dekreteve dhe njëherazi me funksionimin normal me kapacitet të plotë të qeverisë.

Të mërkurën do të jenë 8 emra të cilët presin të votëbesohen nga maxhoranca, ndërkohë që në pritje të dekretimit nga ana e kreut të shtetit është edhe posti i Ministrit të Jashtëm, të cilin kreu i qeverisë ka kërkuar ta mbajë vetë, pas refuzimit të dekretimit nga ana e Presidentit të emrit të Gent Cakajt. Në emisionin ?Opinion?, Presidenti Meta tha se do të respektojë afatet kushtetuese, duke mos e cilësuar shqyrtimin e kërkesës së bërë nga kryeministri si një akt formal.

Të njëjtin qëndrim kreu i shtetit e përforcoi edhe një ditë më pas nga Lezha.

?Do të jap një përgjigje të qartë, të përgjegjshme dhe shteruese, me qetësi, por pa dashuri brenda afateve kushtetuese?

Kërkesën drejtuar Presidentit Meta për ta marrë vetë postin e Ministrit të Jashtëm, Kryeministri Rama e bëri të hënën pas refuzimit që kreu i shtetit i bëri ministrit të propozuar prej tij, Gent Cakaj. Refuzimin, Meta e shoqëroi edhe me një kërkesë drejtuar Kuvendit për ngritjen e një komisioni Hetimor Parlamentar për të verifikuar mënyrën se si Gent Cakaj mori certifikatën e sigurisë nga DSIK. Kreu i shtetit kërkoi gjithashtu që verifikimi administrativ të mos bëhet nga institucione në varësi të kryeministrit.

Tv Klan

Recommended