Reformatimi i kabinetit nga Rama, Meta: Me rëndësi ndryshimi i filozofisë së qeverisjes

  • 5 years ago
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka komentuar nga Korça ndryshimet në kabinetin qeveritar, duke theksuar se e rëndësishme është që të ndryshojë filozofia e qeverisjes. Deklarata e Metës u bë vetëm pak minuta pasi kryeministri Edi Rama njoftoi nga punimet e Asamblesë Kombëtare të PS shkarkimin e shtatë ministrave (Lexo këtu). Zoti President, kryeministri Rama ka bërë me dije ndryshime të thella në kabinetin e tij. A është kjo zgjidhja?
Nuk do të dëshiroja të hyja në komente të tilla, aq më tepër që nuk jam njohur realisht dhe plotësisht me këto ndryshime. Për mua është thelbësore të ndryshojë filozofia e qeverisjes, e cila duhet të jetë një filozofi bashkëpunuese. Bashkëpunuese me opozitën, bashkëpunuese me grupet e interesit, për bërjen e ligjeve më të mira dhe zbatimin e tyre. Bashkëpunuese me institucionet e pavarura, sepse kjo do të na ndihmojë që të jemi edhe më reflektues për të sjellë ato ndryshime, për të cilat në radhë të parë kanë nevojë njerëzit më në vështirësi, kanë nevojë një pjesë e madhe e shqiptarëve për të dalë nga pragu i varfërisë në të cilin ndodhen sot, por aq më tepër për të zgjeruar e për të konsoliduar shtresën e mesme në vendin e shoqërinë tonë, që është domosdoshmëri për të evituar një ndarje sociale, e cila mund të bëhet shumë e rrezikshme për shoqërinë tonë.

Recommended