Report Tv-Arratisja e Gruevskit, Policia: Doli nga Shqipëria më 11 nëntor,

  • 6 years ago
Policia e Shtetit ka reaguar pas lajmit të shpërndarë nga mediet serbe se ish-kryeministri maqedonas Nikola Gruevski ka dalë nga Shqipëria në datë 11 nëntor 2018. Policia bën me dije se Gruevski ka dalë nga Shqipëria si pasagjer në makinën e ambasadës Hungareze. Mësohet se në datën kur Gruevski ka dalë nga territori shqiptar përmes pikës kufitare të Hanit të Hotit, ai nuk ka qenë në kërkim. Ai është shpallur në kërkim nga Interpol Shkupi më datë 13 nëntor 2018. Pavarësisht njoftimit të policisë shqiptare, burime për Report Tv bëjnë me dije se hyrja e Gruevskit është bërë përmes pikës kufitare të Bllatës në Maqellarë të Dibrës.

Njoftimi i plotë:

Departamenti i Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit duke iu përgjigjur interesimit të medias në lidhje me hyrjen dhe daljen nga territori i Republikës së Shqipërisë të shtetasit Nikola Gruevski, ju informon se:

Shtetasi Nikola Gruevski më datë 11.11.2018, rreth orës ora 19:11, ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit në drejtim të Malit të Zi, si pasagjer në automjetin me targë CD1013A, në pronësi të Ambasadës Hungareze në Tiranë.

Në datën 11.11.2018 për shtetasin Nikola Gruevski nuk ka patur asnjë njoftim në kufi apo shpallje si person në kërkim.

Interpol Shkupi në datë 13.11.2018, rreth orës 19.35 i ka dërguar Interpol Tiranës njoftimin për shpallje në kërkim ndërkombëtar për këtë shtetas.

Ish-kryeministri maqedonas ndodhet në Hungari, por ende nuk dihet se cila është pika e fundit kufitare ku Gruevski ka kaluar për të shkuar në Hungari. Mbi ish-kryeministrin maqedonas rëndon një fletë arresti. Ai vetë ka sqaruar në rrjetet sociale se ndodhet në Budapest dhe se ka kërkuar azil nga autoritetet hungareze. Ditën e djeshme, autoritetet hungareze i dhanë Gruevskit statusit e azilantit politik për arsye sigurie, raportojnë mediet maqedonase.

Recommended