Zbulohet nje laborator i përpunimit te heroines ne Has

  • 6 years ago
Rreth 100 kilogramë heroinë është sekuestruar në një laborator të përpunimit të lëndës narkotike të zbuluar në fshatin Brahog të Hasit. Këto foto të siguruara nga Tv Klan tregojnë se si droga ishte ndarë në pako dhe futur në këto çanta të mëdha të zeza, gati për t'u transportuar.

Nuk ka ende një njoftim zyrtar nga policia, por mësohet se janë ndaluar 5 persona, ndërsa janë shoqëruar 8 të tjerë në komisariatin e Kukësit, të cilët po merren në pyetje. Burime zyrtare thonë se operacioni është në zhvillim e sipër, ndërsa po kryhen kontrolle në të gjithë zonën.

Heroina, e cila besohet se ishte trafikuar nga Kosova përpunohej në këtë banesë, e cila po mbahej nën vëzhgim prej kohësh pas informacionit të marrë nga terreni për këtë aktivitet të paligjshëm. Sipas të njëjtave burime, në këtë operacion ka pasur edhe bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë.

Për këtë çështje gjatë paradites ka patur një takim mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veli, i cili shoqërohej nga Drejtori i Policisë Kriminale, Eduard Merkaj dhe dy prokurorëve të Krimeve të Rënda, Vladimir Mara dhe Dritan Premçi. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se, në qendër të takimit ka qenë operacioni për laboratorin e sekuestruar në Has, por pa dhënë më shumë detaje.

Ky është laboratori i dytë i përpunimit të drogave të forta, pas atij të zbuluar në Xibrakë të Elbasanit në Janar të vitit 2015, ku u arrestuan 9 persona mes të cilëve edhe Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, i cili para pak javësh fitoi lirinë. Në arrati mbetet kreu i grupit Genci Xhixha.

Tv Klan

Recommended