Kapen duke vjedhur vilen, babe e bir nuk e kishin per here te pare

  • 6 years ago
Nuk ishte hera e parë që Bardhok Miza dhe djali i tij adoleshent vidhnin në pronat e të tjerëve. Por ndryshe nga herë e tjera, këtë herë ata u kapën nga efektivët e policisë, në momentin që po nxirrnin sendet e vjedhura.

Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në Lezhë, ku policia ndërhyri në kohë duke kapur në flagrancë dy personat në fjalë, të cilët rezultoi se qëndronin edhe pas disa vjedhjeve të tjera. 42-vjeçari Bardhok Miza dhe djali i tij 17-vjeçar E.M. të dy banues në Kurbin u arrestuan "duke vjedhur në vilën e N.K. në Ishull Shëngjin në Lezhë". Në momentin e vjedhjes në banesë mësohet se nuk kishte njeri.

Policia u sekuestroi atyre pajisjet shtëpiake që po tentonin të vidhnin si: frigorifer, tavolinë, karrige, lavatriçe, disa vegla pune dhe pajisje të tjera shtëpiake.

Gjithashtu, autoritetet mundën të dokumentonin edhe disa vjedhje të tjera, pas të cilave dyshohet se qëndron e njëjta dyshe.

Kështu, më datë 27 Shtator ata dyshohet se kanë vjedhur me thyerje marketin në pronësi të E.L., në Shënkoll-Lezhë. Ndërsa më datë 9 Tetor, dyshohet të kenë vjedhur dyqanin e elektroshtëpiakëve në pronësi të M.Xh. në Lezhë.

Gjatë operacionit të efektivëve të Lezhës u shoqëruan gjithashtu për verifikim 7 persona të tjerë, kryesisht me precedentë penalë të mëparshëm për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje./tvklan.al

Recommended