Report TV - Dhurata nga nëna dhe 25 mijë $ nga vjehrri/ Vettingu shkarkon gjyqtarin e Korçës
  • 6 years ago
TIRANE-Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Apelit të Korçës, Sotiraq Lubonja. Komisioni ka vendosur që të mos kalojë gjyqtarin, pasi nuk ka dokumente justifikuese për dhuratat e marra në shuma të konsiderueshme monetare.

Në seancën dëgjimore në datë 3 tetor, gjyqtari deklaroi se ka marrë 4 mln lekë të reja dhuratë nga nëna e tij, të kursyera nga pensioni i saj si dhe 25 mijë dollarë nga vjehrri. Gjithashtu, një llogari bankare prej 5 mijë e 500 dollarë është hapur në emër të djemve të tij, të cilat gjithashtu janë justifikuar si dhuratë nga gjyshi.

KPK shprehu rezerva për pasurinë e gjyqtarit, pasi sipas komisionit nuk ka dokumente justifikuese për dhuratat e marra në shuma të konsiderueshme monetare. Edhe për banesën dy katëshe me vlerë 2.5 mln lekë, KPK konstaton se ka mospërputhje nga deklarimet e 2003, lidhur me sipërfaqen e truallit, katet dhe deklarimet në Vetting.

Në argumentet e tij seancën e kaluar, Sotiraq Lubonja pretendoi se pasuria që KPK nxori me pikëpyetje është e ligjshme, por sot u shkarkua nga detyra. Sotiraq Lubonja ishte kandidat për anëtar të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ndërsa pas shkarkimit nga detyra si gjyqtar ka të drejtë që të apelojë vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Recommended