'Fitova 5.2 mln lekë në baste'/ KPK zbardh vendimin: Ja pse u 'dogj' prokurori Luan Kaloçi

  • 6 years ago
Prokurori i Apelit të Tiranës, Luan Kaloçi u shkarkua nga detyra më 5 korrik 2018, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arriti në përfundimin se ai ka fshehur origjinën e krijimit të një apartamenti dhe një dyqani në Tiranë.

Vendimi i arsyetuar i KPK-së, që përfaqësohej në këtë proces nga Valbona Sanxhaktari, kryesuese, Xhensila Pine, relatore dhe komisionerja Etleda Çiftja argumenton se prokurori Luan Kaloçi dështoi të shpjegojë bindshëm burimin e blerjes së apartamentit me sipërfaqe 145 metra katrorë si dhe të një dyqani me sipërfaqe 132 metra katrorë-të dyja në Tiranë.

Luan Kaloçi u bë pjesë e listës prioritare të vetingut për shkak të kandidimit të tij për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Trupi gjykues e konsideroi të mjaftueshëm hetimin administrativ për këtë subjekt, bazuar vetëm në kriterin e pasurisë. Vendimi i arsyetuar i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nxjerr në pah deklaratat kontradiktore të prokurorit Kaloçi për kohën e blerjes, sipërfaqen, çmimin real dhe burimin e parave për të dyja pasuritë.

Prokurori e kishte deklaruar blerjen e apartamentit që në vitin 2003 me çmim 4.2 milionë lekë dhe burim të ardhurat e shitjes së një apartamenti në Elbasan. Por vlera e kësaj pasurie ndryshon sërish në deklaratën periodike të vitit 2005, ku shënohet si vlerë shuma 55 mijë euro dhe si burim një kredi bankare. Në deklaratën ?veting?, prokurori Kaloçi i qëndron versionit se pasuria ka si burim kredinë, por ndryshon sërish vlerën e tij në 52 mijë dollarë.

Sipas hetimit administrativ, prokurori i Apelit e ka blerë këtë apartament nga kushëriri i tij përmes një kontrate të nënshkruar në mars 2005, ku vlera shënohej si 1.5 milionë lekë. Gjithashtu, Komisioni gjeti se kredia është disbursuar dy muaj më vonë, duke ngritur dyshime për origjinën e pronës.

Recommended