Report TV - Vlorë, PS: Të shkarkohet kryetari i qarkut. LSI braktis mbledhjen

  • 7 years ago
Mbledhja e Qarkut të Vlorës është përfshirë nga debatet e forta mes të socialistëve, pasi 1/3 e këshilltarëve kërkojnë shkarkimin e Sadri Danajt.

Në fillim të mbledhjes, në emër të grupit të këshilltarëve të majtë, kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli kërkoi që në rendin e ditës të futet edhe kërkesa për mocion mosbesimi për kryetarin e qarkut Danaj.

Kërkesa për mocion është firmosur nga 1/3 e këshilltarëve, të cilët kanë kërkuar mbledhje jashtë radhe.

Grupi i këshilltarëve të PS që kërkojnë mocion mosbesimi e argumentojnë me punën jo efikase të Danajt në krye të institucionit.

Danaj nuk ka pranuar që kërkesa të hidhet sot në votim, pasi pretendon që duhet të kalojë 10 ditë sipas ligjit, që të njihet me kërkesën, por PS kërkon që votimi të bëhet sot.

Ndërsa LSI është larguar duke braktisur mbledhjen, pasi më herë kërkoi që të ketë një konsultim brenda koalicionit dhe votimi të shtyhet për në mbledhjen e radhës.

Të pranishëm në mbledhjen e qarkut janë edhe ministri Gjiknuri me deputetin Marto dhe kryetari i PS.

Sadri Danaj njihet si një mbështetës i ish-deputetit Kokëdhima në qarkun e Vlorës.

Recommended