Plas sherri mes PD dhe LSI. Shkak dhënia me koncesion e laboratorëve spitalorë dhe Dekriminalizmi

  • 7 years ago
Rrëzimi në parlamenti i propozimit të LSI -së, për të bllokuar dhënien me koncesion të laboratorëve spitalorë ka nxitur një përplasje mes partisë së drejtuar nga Ilir Meta dhe selisë blu të demokratëve. Partia Demokratike thotë se nisma e LSI-së ishte e kotë dhe pa vlerë.

?Vendimin për koncesionin e laboratorëve e merr qeveria dhe jo Kuvendi. Nëse Ilir Meta është kundër koncesionit e ka të thjeshtë: ta rrëzojë atë në qeveri. Le të bllokojë qeverinë ose të dalë nga qeveria. Por këtë LSI nuk e bën dot, sepse qeverisja është oksigjeni që mban në jetë LSI-në. Gjasme amendamenti kundër koncesionit, ishte një manovër propagandistike e Ilir Metës për të bërë gjasme sikur mendon për popullin, pra ishte një gënjeshtër".

Kësaj deklarate iu përgjigj kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili në një deklaratë të shpërndarë për mediat.

"Jam çuditur nga komentet e tilla, se nuk e kam kuptuar dhe e kam shumë të paqartë, por kjo është një detyrë e Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës të sqarojnë që PD dhe Lulzim Basha janë në këtë realitet apo ndodhen në qiellin e shtatë. Ndodhen këtu në Shqipëri apo ndodhen në Holandë. Dhe kam vërejtur dhe dua ta bëj të qartë që problem i Partisë Demokratike dhe i Lulzim Bashës nuk është LSI-ja, por oligarkia dhe çlirimi i saj nga trysnia e kësaj oligarike në mënyrë që ajo të ketë mundësi të jetë e qartë se ku ndodhet pasi pozicioni i saj është shumë i paqartë, jo me LSI-në, por me interesin publik".

Sipas PD -së, propozimi i LSI -së ishte një manovër politike për të mashtruar qytetarët përpara zgjedhjeve

"Po afrohen zgjedhjet dhe është koha kur Ilir Meta bën sikur nuk ka qenë në qeveri 4 vjet. LSI është bashkautore e të gjitha vjedhjeve, koncesioneve dhe abuzimeve të qeverisë Rama-Meta, nga një pjesë e të cilave LSI ka përfituar direkt".

Kësaj deklarate, Vasili iu përgjigj në këtë mënyrë:

"Sa u takon raporteve politike, raportet tona politike kanë qenë dhe mbetet pro raporteve të ndershme politike. Kemi një aleancë politike në të cilën bëjmë pjesë të cilës i kemi qëndruar me korrektesë dhe me ndershmëri siç është në dimensionin tonë. Mbase nuk është standard i të gjithëve, por është standard i panegociueshëm i LSI-së. Po të njëjtën korrektesë kemi pasur edhe në marrëveshjen politike që kemi pasur me Partinë Demokratike".

Kërkesa e LSI-së për pezullimin e financimit të partneritetit publik-privat për laboratorët spitalorë u rrëzua me 63 votat kundër të PS dhe PDIU, 39 pro të LSI dhe PD dhe 2 abstenim.

Recommended