Report TV - Rama-opozitës: Fituat "opingat e Sheros", tani fyeni dibranët

  • 8 years ago
Partia Socialiste organizoi mesditën e kësaj të mërkure, një takim falenderues me qytetarët dibranë, për fitoren në zgjedhjet e pjesshme lokale në bashkinë Dibër.

Në fjalën e tij përpara anëtarësisë socialiste, kryeministri Edi Rama e cilësoi të pazakontë qëndrimin e PD, ndaj votuesve dibranë. Ai tha se PD i akuzoi dibranët si të ishin bagëti.

"Është fyer i gjithë komuniteti juaj. Është fyer tradita dibrane", u shpreh Rama.

"Si ka mundësi që pas një diference kaq të thellë, një parti që për kaq shumë vite ka marrë besimin e dibranëve, tu kthehet dibranëve me atë gjuhë dhe të akuzojë jo disa njerëz, por një popull të tërë si të ishin bagëti që dilnin nga parcelat e hashashit dhe jo njerëz, familjarë, shqiptarë? Si ka mundësi që një parti, më e madhja e opozitë, të arrijë deri në këtë pikë, që pasi shpall me të madhe një test kombëtar në një fushatë vendore dhe të fillojë një përmbysje e madhe dhe pasi shpall fitoren, pas numërimit merr opingën e Sheros, i turret dibranëve duke i akuzuar si bashkëpunëtorë të krimit?

Falenderoj në radhë të parë 18 mijë e qindra votuesit e votueset e Muharemit, por s'do lë pa falenderuar edhe ata të tjerët, të cilët morën pjesë në këtë proces demokratik. Është e pandodhur në histori që një parti e madhe në garë të falenderojë vetëm votuesit e saj dhe të tjerët t'i fyejë e ofendojnë, duke harruar se kush fyen shumicën që vendos, fyen e ofendon sovranin popull", u shpreh kryeministri Rama.

Recommended