Report TV - UKT, Braçe: I papranueshëm sulmi i Kokëdhimës ndaj Veliajt

  • 8 years ago
TIRANE - Të papranueshëm e ka vlerësuar Erion Braçe sulmin e gazetës së deputetit Koço Kokëdhima ndaj kryetarit të bashkisë Erion Veliaj, sulm i cili u bë hapur përmes "Shekullit" menjëherë pas shkarkimit të drejtorit të Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Tiranës Nerian Gjojdeshi, njeriu i afërt i deputetit të Vlorës. I ftuar në emisionin "45 minuta" në Report TV, kreu i Komisionit parlamentar të Ekonomisë tha se kryebashkiaku u sulmua në mënyrë të padrejtë për një vendim korrekt që mori pas mbifaturimeve që ju bënë qytetarëve të kryeqytetit nga Ujësjellësi. Ky rast, të cilin deputeti socialist e quan skandaloz, duhet të hetohet nga organet kompetente të drejtësisë dhe nuk duhet të mbyllet vetëm me shkarkimin e drejtorit.

"Nuk ka qenë një marrëdhënie spontane, dhe nuk kanë qenë rastësisht pensionist, një drejtor që për të rritur performancën e ndërmarrjes, të lejojë, urdhërojë apo tolerojë mbifaturim. Prandaj kam kërkuar impenjimin e të gjitha institucioneve për ta hetuar këtë rast, nuk mund të kalojë vetëm me shkarkimin e një drejtori. Duhet hetuar çdo praktikë abuzive që të mos përsëritet më ky rast i mbifaturimit. Në mënyrë të padrejtë nga faqet e një gazete sulmohet kryetari i bashkisë së Tiranës, për një gjë që e ka bërë vërtet drejt dhe duhet ta kishte bërë më herët, se sinjale ka pasur dhe më herët për mënyrën e drejtimit të ndërmarrjes së Ujësjellësit. Nëse deputeti është përfshirë në këtë histori kjo është akoma më e papranueshme. Rasti ishte skandaloz që cënon shumë rëndë interesin publik. E quaj të papranueshme edh e sikur deputeti të mos ketë dorë në politikën editoriale të gazetës. Një njeri që ka vëmendje mbi çdo aktivitet të tij natyrisht që nuk duhej ti shpëtonte ky rast ", tha ai.

Recommended