Report TV - Meta takim me Nishanin dhe Ramën për Byronë e Hetimit
  • 8 years ago
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta është takuar këtë të premte me presidentin Bujar Nishani. Takimi i mbajtur në ambientet e Presidencës ka zgjatur rreth 20 minuta, në fokus të të cilit mendohet të ketë qenë Byroja Kombëtare e Hetimit, projektligji i së cilës u miratua të mërkurën në mbledhjen e qeverisë si dhe Reforma në Drejtësi.

Pas takimit me Nishanin, ashtu siç është bërë traditë Meta u takua në "Vilën 30" me aleatin e tij në qeverisje, kryeministrin Rama së bashku me njësinë e koordinimit të koalicionit. Në këtë takim i cili zgjati rreth mbi një orë e gjysëm, kryeministri Rama shoqërohej nga Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe deputeti Taulant Balla, ndërsa mësohet se i pranishëm ishte edhe kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi.

Kurse kryetari i Kuvendit shoqërohej nga ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, ai i Transporteve Edmond Haxhinasto dhe kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili.

Debatet mbi Byronë Kombëtare të Hetimit ishin edhe kryefjala e seancës së djeshme parlamentare ku opozita kundërshton draftin e miratuar nga qeveria, pasi sipas PD-së nuk është sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Por ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ka deklaruar mbrëmë se drafti për Byronë Kombëtare të Hetimit është pranuar nga Partia Demokratike me ndërmjetësimin e amerikanëve më 8 shkurt.

Por opozita shprehet se data 23 dhjetor është dita e fundit kur Partia Demokratike ka komunikuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit.