Imami, karriere me skandale - Vizion Plus - News - Lajme

  • 9 years ago
Rralle gjen ne këto 2 dekadat e fundit ne Shqipëri një politikan te formatit Arben Imami. Aktori, qe u be i njohur për publikun para viteve '90 me rolin e ushtarit stoik ne filmin "Balle për balle" mbërriti pas një karriere te paskrupullt, ne vitin 2009 ne krye te Ministrisë se Mbrojtjes. Arben Imami duket se nuk i përket modelit te politikanëve që fituan lehtë pushtet, por atyre që e shiten shtrenjtë lirinë. Karriera e tij politike, nisi ne radhët e PD ne vitet 1990, si nënkryetar, me një betejë për të vendosur disa standarde të demokracisë brenda forcës se re politike. Por kundërshtitë e rreshtuan Imamin ne kundërshtarin me te ashpër te PD, ne krye të Aleancës Demokratike ne vitin 1992. Si një opozitar i pushtetit te ish-presidentit Berisha, ai u përball jo vetëm politikisht por edhe fizikisht me dhunën policore në 28 maj 1996, ne protestën pas zgjedhjeve te atakuara. Imami u rrah barbarisht dhe i thyen dhëmbët në qeli. Pak muaj më vone, Imami ishte ne krye të protestave të dhunshme te armatosura në jug të vendit dhe kërcënoi qeverinë e Pajtimit Kombëtar, ku partia e tij Aleanca demokratike u bë pjesë, se do ta rrëzonte me dhunë. Fjalitë kërcënuese për mediat e huaja, shkonin ne adrese te Sali Berishës.
Pas 97, Imami ishte pjese e 2 qeverive socialiste, si ministër i reformës Legjislative ne qeverinë Nano dhe Minister drejtësisë ne qeverinë Meta. Pa u mbyllur mandati i te majtëve ne krye te vendit, Imami u largua nga ta, dhe filloi të afrohet sërish me kundërshtarin e vet, Sali Berishën. Mbi bazën e metamorfozës se njohur sipas kompleksit te Stokholmit, ku i dhunuari u dashurua me përdhunuesin, Imami u rikthye ne PD. Afrimi ishte i vështire, pasi ne vitin 2005 ai tentoi të integrohej në strukturat e Partisë, por për shkak te se kaluarës se hidhur u refuzua nga votuesit e djathte. Me Berishën kryeministër, Imami u emërua shef kabineti. Ne këto vite ai u bë dëshmitar i disa ngjarjeve me renda që tronditën historinë politike të Berishës, një nder to, historia e Gërdecit. Pas zgjedhjeve të 2009, Imami u dërgua në Ministrinë e Mbrojtjes, në vendin ku gjurmët e historive të trafikut të armëve dhe demontimit, nuk ishin fshirë ende. Por CV e tij u mbush shpejt gjate 3 viteve ne krye te forcave te armatosura me skandalet me te renda qe preken kete mazhorance ne 8 vjet. Ato nisin me përgjimet e opozitës dhe diplomateve te huaj, gradimet e ushtarakeve sipas preferencave, vënien ne shërbim te ushtrisë për festat e PD, shpërfilljen e gjykatave ne vend, por edhe skandalin me blerjen e helikopterëve, apo shitjen e pronave te ushtrisë.